Pas ultimatumit të presidentit Ilir Meta se duhet gjetur një zgjidhje, në të kundërt do ketë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme më 13 tetor, nuk ka patur reagime të prera të kryeministrit Edi Rama.
Po ashtu, as kryedemokrati Lulzim Basha nuk është dëgjuar të artikulojë ndonjë qëndrim për çështjen.
I vetmi që ka reaguar drejtpërdrejtë është ish-kryeministri Sali Berisha.
Por dje, është parë një reagim që meriton vëmendje, i këshilltarit të Ramës, Baton Haxhiut.
Në kontekstin kur presidenti Meta publikoi mesazhin e Ramës në “Whatsup”-in e tij, teksa i thoshte se pas 30 qershorit Lulzim Basha do jetë inekzistent në krye të PD-së dhe se nuk do gjente më gjurmë LSI-së, komenti në dukje i shpenguar i Haxhiut merr një vlerë.
Por për çfarë bëhet fjalë?
Baton Haxhiu, me sa thotë, nuk qenka dakord që Edi Rama të përdorë gjithë fuqitë e tij për të dëmtuar Lulzim Bashën.
“Çfarë mund të bëjë ky Rama që ta humbasë besimin tënd? Dhe si të thuash të krijojë zhgënjimin tënd, siç ka krijuar Berisha dikur, Meta tani…ku di unë, gjithë njerëzit që i ke pasur afër vëlla. Çfarë duhet të bëjë një gjë Rama dhe këtu bëhu i sinqertë se je i sinqertë, çfarë duhet të bëjë Rama një akt ose disa akte që ti të thoshe mjaft më, nuk do e mbështes më këtë njeri?!”, e pyet Arjan Çani, Haxhiun.
Dhe përgjigja e këshilltarit të Ramës është e fokusuar në tre pika.
“Për shembull të heqë dorë nga shkarkimi i Ilir Metës”, nis ajo.
Deri këtu, nuk është se Baton Haxhiu zbulon ndonjë gjë të paditur. Rama ka nisur procedurën për shkarkimin e Metës, edhe pse ligjërisht nuk mund ta kryejë dot me sukses.
Por interesante janë dy përgjigjet e tjera të Haxhiut.
“Dy. Ta riciklojë Berishën…Që të bëjë një koalicion ku e riciklon Berishën”, vazhdon Haxhiu.
Ndërsa pika e tretë, sipas tij, është pak a shumë kjo:
“Tre. Që ta zëmë e shkatërron Partinë Demokratike duke përdorur fuqinë e tij në këtë moment…Nëse përdor gjithë fuqinë e shtetit për të shkatërruar Lul Bashën.”.
Sipas Haxhiut, deri tani Rama nuk e ka përdorur.
Haxhiu, një nga strategjistët kryesorë të Ramës, hedh në publik idenë e koalicionit pa Berishën, ndërsa shfaq “potencialin” e padiskutueshëm sipas tij, që Rama ka për të shkatërruar Bashën, “duke patur në dorë shtetin”.
Çfarë ka Rama me Berishën? Për çfarë koalicioni e ka fjalën këshilltari i tij? A po i hedh Rama sytë me të vërtetë nga Basha, njësoj si ai që rrezikon mbytjen e kërkon një “kamerdare shpëtimi”?/Hashtag.al