Vendosni fjalën kyçe....

Protestat e shqiptarëve kundër Soros në Washington, Meta: Përkrahja juaj më shumëfishoi forcat


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar lidhur me protestën që u zhvillua ditën e djeshme në Washington, kundër instalimit të diktaturës dhe ndikimit të George Sorosit në Shqipëri.

Meta thotë se përkrahja e shqiptarëve në SHBA ia kanë shumëfishuar forcat. Presidenti shprehet i bindur se Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë në një shtet njëpartiak.

“Mirënjohje të gjithë shqiptarëve të mbledhur dje në Uashington DC para Shtëpisë së Bardhë, të cilët lanë punët e tyre dhe i bashkoi shqetësimi për të ardhmen e Shqipërisë, duke konfirmuar aleancën e pathyeshme të kombit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përkrahja e tyre më shumëfishoi forcat, ndaj si President i Republikës kam besim tek komuniteti i ndershëm shqiptaro-amerikan, për të mbrojtur dhe forcuar së bashku këtë aleancë strategjike!

Shqiptarët qëndrojnë të fortë dhe të vendosur, jo për të marrë një vizë amerikane, por për të mbrojtur idealet amerikane të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, që janë jo vetëm idealet e SHBA, por edhe të qytetërimit botëror ku ne bëjmë pjesë.

Shqipëria nuk do të kthehet kurrë më në “one-party state”!

Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe në zemër të kësaj Aleance është DEMOKRACIA!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!
God bless America!
God bless Albanian-American friendship!”, shkruan Meta.

Dje u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë në Washington .D.C. një grup shoqatash nga komuniteti shqiptar, të cilat kanë protestuar kundër instalimit të diktaturës dhe shtetit monist në Shqipëri, ku sipas tyre një parti e vetme, ajo socialiste, ka uzurpuar të gjithë institucionet, përfshirë dhe Drejtësinë.

Shqiptarët në Amerikë sulmojnë edhe Fondacionin e George Soros, për kontrollin dhe ndikimin e tij në Shqipëri.

“Kundër ndikimit të manjatit demokrat George Soros, i cili është denoncuar nga Presidenti i Shqipërisë për financimin e destabilizimit të Shqipërisë”, thuhej në njoftimin e bërë nga organizatorët e protestës.

Protestuesit i bënë thirrje presidentit Donald Trump të shpëtojë Shqipërinë nga “spiralja e frikshme e kaosit ku është futur si dhe të mos lejojë segmente të Fondacionit Soros që të rikthejë komunizmin në Shqipëri.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *