Kreu i PD-së nga protesta e 10-të kombëtare deklaroi se zgjidhja e krizës do të vijë vetëm me largimin e Ramës dhe do zgjidhet vetëm me parime dhe jo me marrëveshje, duke lajmëruar se nuk do ketë një marrëveshje me Ramën.
Basha gjithashtu u shpreh se me largimin e qeverisë do vijë edhe një ndryshim i thellë.
“Këto përpjekje po sjellin ndryshimin e madh. Jo vetëm largimin e kësaj qeverie, por ndryshimin e thellë të vendit. Jo ndryshim fasadë, por një ndryshim që do t’u japë fund krizave dhe traumave të tranzicionit. Një ndryshim që do të na fusë në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore.” u shpreh lideri i opozitës.
“Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur. Vetëm drejtësia përmes ligjit”- tha Basha
Pa u larguar Rama nuk do ketë as drejtësi dhe as integrim në BE tha ndër të tjera lideri i opozitës.
“Bashkë me ta, do të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Njeriun që e solli krimin në politikë, njeriu që ia la shtetin në dorë krimit.” .Pa u larguar Edi Rama nga pushteti: Nuk do të ketë drejtësi. Nuk do të ketë zgjedhje të lira. Nuk do të ketë demokraci. Nuk do të ketë integrim në BE”- u shpreh Basha.