Vendosni fjalën kyçe....

“Fotoja e jetës sime”, Meta ka një mesazh pas përpjekjeve për ta shkarkuar


Vetëm një ditë pasi Kuvendi vendosi ngritjen e një Komisioni Hetimor për shkarkimin e tij, presidenti Ilir Meta ka një mesazh për maxhorancën.

Meta ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga dita e betimit të tij si president në 2017-tën.

“Fotoja e jetës sime! SHQIPËRIA E PARA!”, shkruan Meta krahas fotos, ku shihet me dorë në Kushtetutë.

Për të gjithë ata që e kanë ndjekur betimin e presidentit Ilir Meta në korrik të 2017-ës, e dinë shumë mirë për çfarë ai u zotua atë ditë.

Meta përmendi pikërisht Kushtetutën, duke thënë se do të bënte çdo gjë për mbrojtjen e saj në interes të shqiptarëve.

“Në këto momente solemne, duke përcjellë falënderimet për Kuvendin e Shqipërisë që më zgjodhi në këtë detyrë kaq fisnike, më lejoni që t’ju dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në gërmë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mija Kushtetuese në interesin më të mirë të vendit, të kombit dhe qytetarëve shqiptar, pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësia e detyrës; integritetin, drejtësinë dhe pa-anshmërinë.

Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale. 

Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian.”, janë fjalët e Metës.

Maxhoranca e akuzon presidentin për antikushtetutshëri për vendimin që ai mori më 10 qershor, për të anuluar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në datën 30 qershor.

Meta ka dekretuar një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve, 13 tetorin, duke thënë se të gjitha këto i ka bërë duke ndjekur frymën e Kushtetutës. Por maxhoranca nuk e njohu dekretin e presidentit, duke i mbajtur zgjedhjet pa opozitën dhe në shumicën e bashkive me një kandidat të vetëm. Po ashtu nisi dhe procedurat për shkarkimin e presidentit, edhe pse në mungesë të gjykatës Kushtetuese.

Meta pas votimeve pa garë, propozoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në tetor.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *