“Pranoj se jam viktimë e transparencës dhe disponimit tim të vazhdueshëm ndaj të gjithë”- tha Zoran Zaev, Kryeministër
Pranon lëshime por jo dhe përgjegjësi apo dorëheqje – as personale, as të askujt në kabinetin e tij. Kryeministri Zoran Zaev në mesditë mbajti një konferencë për shtyp, pasi mbrëmë dëgjoi bisedat e tij të publikuara gjoja me Petro Poroshenkon dhe Jens Stoltenberg.
Bëhet fjalë për komedianët rusë Vladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolarov, të cilët duke u paraqitur me identitet të rremë të figurave të larta politike, flasin për një orë me Zaevin. Regjistrimet audio janë bërë në gusht të vitit 2018 dhe janar e prill të vitit 2019, dhe i kanë publikuar në kanalin e tyre në YouTube.
Bisedat janë në lidhje me disa tema: Situata në Maqedoni para referendumit për emrin, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, ndikimit rus në vend dhe autoqefalja e KOM –it, për të cilat Poroshenko i rremë e bind Zaevin që mund të fitohet nëse i paguhen 100,000 euro Patriarkut Bartolomej.
Pikërisht për këtë pjesë, Zaevi tha se ishte e montuar dhe joautentik, edhe pse ai nuk e shpjegoi kontekstin.
“Sillem ashtu si ndjehem. Personalisht me mjete të mia nga familja ime, ndërmarrje personale ose të familjes sime, kam ndihmuar shumë shpesh me shuma serioze të parave, materiale, në të shumtën e rasteve me tulla. Kur ju ndodhë një bisedë e këtillë ju tregoni se nuk keni problem të ndihmoni diku nëse duhet të ndihmohet”- theksoi Zoran Zaev.
Zaevi pohon se janë respektuar protokollet diplomatike, por përkujtoi edhe se kontraktimin e bisedave me vendet që janë të afërta i bëjnë drejtpërdrejt kabinetet. Por, jo rrallë ndodhë që funksionarët të komunikojnë edhe drejtpërdrejt. Gjatë komunikimit të drejtpërdrejt, këshilltarët e Zaevit marrin shënime.
“Unë përkujtoj se nuk e kam për herë të parë, kam biseduar me Stoltenbergun, me Poroshenkon, me liderë të tjerë të vendeve partnere të RMV-së, dhe komunikimi i lidhur në njërën prej bisedave është përmes rrjetit fiks.
Derisa jam në punë…. Unë jam në punë, është kërkuar nga gjoja presidenti Poroshenko që të vendosë kontakt me mua, jap termin në mes takimeve, atëherë kur edhe bisedoj. Pranë meje në të shumtën e rasteve qëndron një nëpunës, ky është Dane Talevski ose Bojan Mariçiqi ose një pjesë e këshilltarëve të tjerë të cilët mbajnë procesverbal, fillimisht procesverbal për t’u vendosur në arkivin e shtetit, por edhe që t’i njoftojmë mediat“- u shpreh Zoran Zaev.
Reagimi i Poroshenkos dhe Stoltenbergut të vërtetë deri tani nuk kanë mbërritur në adresën e Qeverisë. Zaevi tha se nëse ka nevojë do të kërkojë ndjesë.
Qëndrimi i tij është se bisedat e regjistruara nuk janë të porositura nga dikush nga Maqedonia, por se ai personalisht është shënjestër e diskreditimit politik dhe ky është një tentim për të dëmtuar interesat strategjik për anëtarësim në NATO.
Ai përkujtoi se pjesë e kësaj loje kanë qenë edhe Makroni, Stoltenbergu, Erdogani dhe Elton Xhoni, dhe se është hasur në shoqëri të mirë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Alsat M
Biseda e zbardhur në shqip:
Zaev: Alo
Poroshenko (i rremë): Alo, përshëndetje zoti Kryeministër jam shumë i lumtur që ju dëgjoj
Zaev: Është kënaqësia ime, Zorani po ju flet! Zoti President ju jeni?
Poroshenko: Po unë jam. Shpresoj që koha të jetë e mirë në Maqedoni…
Zaev: Po e mirë, është verë si është koha në Ukrainë?
Poroshenko: Është pak ftohtë, por shpresoj të kemi mot të mirë ditët në vijim.
(Më tej gjatë bisedës “Poroshenko i rremë” e përgëzon për marrëveshjen me Greqinë, firmosjen e të cilës Zaev e konsideron si mjaft të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë)
Zaev: Unë dua të ndaj një shqetësim që kam për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancerlarja Merkel është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për të përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare.
Unë dua që t’iu vë në dijeni juve që të jeni të fokusuar, sepse unë dje kam folur me kancelaren Merkel për këtë ne kemi pasur gjysëm ore bisedë telefonike për këtë çështje sepse unë e shikoj që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Ukrainën.
Unë jam shumë i shqetësuar se këtoj lloj hapash do të përbëjnë një dëm të madh si rajonit tuaj ashtu edhe tonit. Ne jemi komplet kundër këtij modeli dhe ne do të bëjmë gjithçka. Ne kemi informuar forcat politike amerikane. Madje unë kam informur edhe vetë Zv/ Presidentin Pence dhe shefin e Departamentit Amerikan Z. Pompeo.
Por ne i kemi kërkuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian dhe sidomos zonjës Mogherini që të ndalojë këtë lloj aktiviteti sepse do t’i shkakojë një dëm të madh Ballkanit.
Poroshenko i rremë: Po çfarë ka bërë Rusia në këtë drejtim?
Zaev: Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normal që ata e kanë atë lloj raporti. Por për momentin problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë, dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës.
Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtij kufirit si serbë edhe kosovarë dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti. Por përtej kësaj.
Unë kam parë aktivitet të mundshëm, ndoshta unë jam gabim por ne duhet të jemi të fokusuar sepse disa forcat në Rusi dhe por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare, Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë.