Rregullatorët amerikanë kanë miratuar një gjobë prej 5 miliardë dollarësh për “Facebook-un” në lidhje me shkeljen e privatësisë.
Komisioni Federal i Tregtisë po hetonte akuzat, se kompania e konsulencës politike “Cambridge analytica”, ka shfrytëzuar të dhënat e 87 milionë përdoruesve të “Facebook-ut”.
Hetimi ka nisur në mars 2018 dhe ishte fokusuar tek fakti, nëse “Facebook” ka shkelur një marrëveshje të 2011, sipas të cilës kërkohej të njoftoheshin qartësisht përdoruesit dhe të jepnin aprovim të shprehur, për të ndarë të dhënat e tyre.
Gjoba prej 5 miliardë dollarësh tani duhet të finalizohet nga divizioni civil i Departamentit të Drejtësisë dhe nëse do të konfirmohet, do të jetë më e madhja që rregullatorët amerikanë kanë vendosur ndonjëherë mbi një kompani teknologjike.
Sidoqoftë, shifra duket se ishte parashikuar nga vetë “Facebook”, që më herët këtë vit kishte thënë se priste një ndëshkim deri në 5 miliardë dollarë.
Edhe investitorët kanë reaguar pozitivisht ndaj lajmit, me aksionet e “Facebook”, që janë rritur, në vend që të zhvlerësoheshin.