Pasi zbuloi se cila do të ishte drejtoresha e re e Tatimeve, kryeministri Edi Rama kritikoi këtë drejtori përsa i përket mosfunksionimit të kasave në shumë biznese.
Rama ngriti pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për 15 mijë kasa në biznese që nuk raportojnë.
“Si mundet të pranohet sot të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 1 qind e 12 mijë të tilla. Kujt i kërkohet përgjegjësia çdo ditë lidhur me këtë? kush i mbulon në territor këto pika të kuqe alarmi dhe si mundet që të gdhijë dita e re, java tjetër, muaji tjetër, dhe këto pika të kuqe alarmi të mbeten të kuqe? Pse kompanitë e kasave nuk gjobiten? Ligji është i qartë për to. Është ngritur një sistem që konsiderohet funksional më Tatime së bashku me FMN që Fondi e ka marrë si model për tu përdorur në vendet e tjera, me module risku që duhet të jenë bazë e analizës dhe trajtimit të vizitave në terren të një aktivitete inteligjent dhe ka vetëm një motiv dhe anarki brenda administratës ku janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive”, tha kryeministri në një takim me drejtuesit e Tatimeve.
Rama i paralajmëroi bizneset që nuk lëshojnë faturat, se do u mbyllet aktiviteti.
“E mbyll me një apel për bizneset: kemi zgjedhur prej më shumë se gjashtë muajsh një qasje këshilluese, informuese, edukuese, duke mos preferuar të shkojmë te hapi i fundit pa bërë hapat e tjerë. Masa që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me faturat përkatëse janë të atilla që nuk ja vlen aventura e moslëshimit të faturës.
Të mbyllet lokali apo njësi tregtare, nëse nuk lëshon kupon, për një periudhë që sjell një dëm të madh. Mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin, sepse nuk do të tolerohet askush”, tha Rama.
Një javë pas shkarkimit të Enton Duros, Drejtoresha e re e Përgjithshme e Tatimeve është emëruar Dalina Ibrahimaj.