Katër persona janë plagosur nga shpërthimi i fuqishëm në ish-Bllok.
Dy nga të plagosurit janë pronarët e lokalit, çifti Sokol e Alma Pirra, ndërsa janë plagosur edhe shitësja Eneida Nura si dhe një kalimtar i rastit, Ardanoel Serani.
Të lënduarit janë dërguar me shpejtësi në spital, ku Nura dhe Serani janë jashtë rrezikut kurse çifti i bashkëshortëve është në gjendje të rëndë.
Ka qenë shpërthimi i një bombole gazi në një lokal në zonë që ka shkaktuar shpërthimin e fuqishëm që tronditi ish-Bllokun mesditën e sotme dhe shkaktoi jo pak panik mes njerëzve në një nga zonat më të populluara të Tiranës.
Nga shpërthimi i fuqishëm ka pasur dëme të shumta materiale në zonë, në dyqanet ngjitur, të cilët kanë pësuar dëme të konsiderueshme.
Forca të shumta policie bënë rrethimin e zonës ndërsa zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion Paraprak
Rreth orës 13:15 në rrugën “Vaso Pasha” në ambientet e një dyqani eventesh ka shpërthyer një bombul gazi. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar shtetasit S. P dhe A. P, E. N dhe D.S të cilët u dërguan në Spital për ndihmë mjeksore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
/Hashtag.al