Vendosni fjalën kyçe....

Meta sërish thirrje për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme: Përpara 17-18 tetori, kur BE do të marrë vendim


Presidenti i vendit Ilir Meta bën sërish sot thirrje për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, duke qenë se sipas tij kemi përpara 17-18 tetorin. Por ajo që vihet re sot është se Meta propozon që presidenti të zgjidhet nga Populli.

“KOHA QË TË MOS MBETEMI EDHE NË VJESHTË!

Të dashur qytetarë,

30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.”, shkruan Meta.

Sipas presidentit nuk mund të ecet në dy rrugë të kundërta. Ai i bën thirrje dy palëve, maxhorancës dhe opozitës.

“Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.

Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.

KOHA ËSHTË TANI!

Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!”, përfundon Meta.

Ditën e djeshme presidenti pati një takim “kokë më kokë” me kryedemokratin Lulzim Basha. Basha tha se e vlerëson maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe do të bëjë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve votën e lirë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *