Stadiumi i ri kombëtar nuk do mbajë emrin ‘Arena Kombëtare’ siç ishte përcaktuar fillimisht.
Federata Shqiptare e Futbollit e ka nxjerrë emrin e stadiumit të ri për sponsorizim.
Në një njoftim për shtyp, FSHF-ja ka përcaktuar edhe kriteret për sponsorin që do përzgjidhet.
Çmimi dysheme është 600 mijë euro në vit ndërsa sponsorizimi do ketë një afat minimal prej 5 vtitesh.
Njoftimi i plotë i FSHF-së
Federata Shqiptare Futbollit njofton se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar. E drejta për të qënë sponsor përfshin blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe perfitime të tjera.
Çdo kompani e interesuar duhet të permbush kriteret bazë që janë:
Të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milion euro në vit
Të jetë një kompani që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe/ose ndërkombetar
Shitja e të drejtave të emrit do të ketë një afat minimal prej 5 vitesh dhe një çmim dysheme prej 600 mijë euro në vit.
Çdo subjekt që vlerëson se përmbush kriteret e mësipërme dhe shfaq interes për ofertën duhet të paraqes një letër për shfaqje interesi deri më datën 15 Gusht 2019.
Shfaqja e interesit do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.
Procedurat e mëtejshme të zgjedhjes së kompanisë do ju njoftohen vetëm kompanive që do të shprehin interes, në një moment të dytë.