Vendosni fjalën kyçe....

Meta e çon në Kushtetuese, Rama: Kush s’është dakord s’ka mandat e as të drejtë të pengojë


“Teatrin e ri Kombëtar e kërkon kryeqyteti, vendi, kombi e shumica e komunitetit të artistëve të skenës. Njësoj si Stadiumi i Ri kombëtar ai do të jetë një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë që duam. Kush s’është dakord është i respektuar, po s’ka as mandat as të drejtë të pengojë”, reagon Edi Rama pas zbrazjes së Teatrit Kombëtar, përplasjes së policisë me protestuesit dhe vendimit të presidentit Ilir Meta për ta çuar në Kushtetuese ligjin që ka miraatuar kryeministri.

Ilir Meta do të shkojë personalisht sot në Gjykatën Kushtetuese ku do të depozitojë kërkesën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të shkojë sot në ora 13:00 në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.”, njofton Presidenca.

“I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare. As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90! Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”, reagoi disa orë më parë presidenti i republikës Ilir Meta.

Menjëherë, teksa policia ka rrethuar godinën e Teatrit Kombëtar duke ndeshur në përplasje me protestuesit, Meta ka komentuar duke e quajtur një ngjarje të shëmtuar dhe të turpshme.

“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.”, shkruante Meta.

Presidenti Meta i ka bllokuar kryeministrit Rama ligjin për dhënien e Teatrit Kombëtar me koncesion kompanisë “Fusha sh.p.k”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *