Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i PD-së së Durrësit tutet para Dakos, denoncim pa i përmendur as emrin


Ferdinand Xhaferri, kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Durrës ka denoncuar sot ndotjen mjedisore në qytetin bregdetar, shpenzimin e miliona lekëve të çuara dëm nga qeverisja vendore, por pa përmendur në asnjë rast emrin e kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako.

Në deklaratën e tij Xhaferri, edhe bashkinë e përmend vetëm njëherë dhe qeverisjen vendore një herë tjetër.

PD e Durrësit kërcënon me një kallëzim në Prokurori, por në emër të kujt do e çojë këtë kallëzim kur ka frikë të përmendë emrin e kryebashkiakut?

“Dega e Partisë Demokratike të Durrësit, në përgjigje të ankesave dhe shqetësimeve të panumërta të qytetarëve të Durrësit, po përgatit dosjen për kallëzim penal dhe në ditët vijuese do ta dorëzojë atë pranë Prokurorisë së Durrësit.”, tha Xhaferri.

Kryetari i Bashkisë në tre mandatet e fundit ka qenë pikërisht Vangjush Dako. Pra që nga 2006-ta. Pse PD e Durrësit, e cila ankohet për lënien pasdore të qytetit për 10 vite me radhë, kujtohet vetëm një ditë pasi Dako i la detyrën Valbona Sakos? E për më tepër as nuk i përmendin emrin?!

Çdo fjali denoncuese në dokumentin e mëposhtëm, është shkruar pa një kryefjalë. Nuk dihet kush e kryen veprimin e përmendur: “Është ndërhyrë, është shpenzuar …”. Në asnjë moment nuk përmendet cili është përgjegjësi, personi që i ka kryer këto veprime si psh: abuzimin me fondet.

“Në mesin e sezonit turistik ndërhyhet në këtë segment, duke shpenzuar përsëri 67 milion lekë të reja. Kujtojmë se për këtë Bulevard janë shpenzuar në vitin 2012, 140 milionë lekë të reja, është shpenzuar përsëri në 2016 dhe po ndërhyhet përsëri sot. Po kështu në 10 vitet e fundit mbi tre herë është ndërhyrë në rrugën kryesore të plazhit.

Duket qartë se ndërhyrjet bëhen për të garantuar abuzimin e radhës dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve.”, tha Xhaferri. Shumë dakord zoti Xhaferri, por kush ka abuzuar me këto shuma të konsiderueshme parash që ju përmendni?

Kjo nuk është hera e parë që PD-ja e Durrësit heziton të denoncojë Vangjush Dakon. Pas publikimit të audiopërgjimeve të “Bild” ku përfshihej edhe Dako, emrin e kryebashkiakut PD-ja e Durrësit e përmendi vetëm tangent.

Në të gjithë deklaratën e Xhaferrit për përgjimet, Dako u përmend vetëm 2 herë, krejtësisht tangent dhe vetëm mbiemri.

Nuk dihet nga vjen ky hezitim i PD-së së Durrësit për të denoncuar kundërshtarin e tyre politik, që në fakt nënkupton thjesht kryerjen e detyrës./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *