Ka ndërruar jetë në spital, pronari i lokalit në Vlorë i cili u plagos ditën e djeshme gjatë një atentati.
Arben Beqiraj, 50 vjeç, ka ndërruar jetë rreth orës 01:00 pas mesnate në spitalin e Vlorës. Ai kishte marrë 6 plumba në trup, në pjesën e barkut, në duar dhe në këmbë.
Njëri prej plumbave e kishte kapur atë në pjesën e kraharorit, duke i shkaktuar vdekjen.
Dy të plagosurit e tjerë, Egert Beqiraj dhe Nesim Hodaj ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në një lokal zonën e Plazhit të Vjetër, në Vlorë. Përplasja me armë ka ndodhur pas një konflikti ditën e djeshme mes pronarit të lokalit dhe dy personave.
Dy autorët e identifikuar me iniciale si SH.L dhe E.XH, mësohet se janë konfliktuar fillimisht me fjalë e më pas me grushte me pronarin e lokalit.
Më pas dy të dyshuarit kanë shkuar tek makinat që kishin parkuar jashtë lokalit, nga ku kanë marrë një kallashnikov dhe një pistoletë dhe kanë qëlluar drejt Beqirajt, djalit dhe nipit të tij. Autorët më pas janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës.
Një nga plumbat e ka kapur Beqirajn në kraharor, çfarë i ka shkaktuar atij vdekjen. Djali dhe nipi i tij ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur kërkimin për kapjen e dy autorëve të dyshuar.
Ngjarja e djeshme ka shkaktuar panik te pushuesit në zonën e Plazhit të Vjetër. Ata thonë se janë shtrirë në rërë nga frika se mos i kapte ndonjë plumb. Një pjesë e tyre janë larguar në banesat e tyre më herët se ditët e tjera, për shkak të frikës./Hashtag.al