Ministria e brendshme egjiptiane tha se njëzet njerëz u vranë dhe 47 u plagosën kur një makinë e mbushur me eksplozivë të destinuar për një sulm ekstremist shpërtheu pranë spitalit kryesor onkologjik të Kajros.
Zyrtarët fillimisht thanë se shpërthimi ishte shkaktuar kur një mjet që po lëvizte kundër trafikut u përplas me tre makina të tjera. Fasada e spitalit pësoi dëme të mëdha dhe në tokë shiheshin sendet personale të viktimave.
Ministria e brendshme tha se makina e përfshirë në incident ishte vjedhur disa muaj më parë. “Ekzaminimi fillestar teknik tregon gjithashtu se makina përmbante eksplozivë, dhe përplasja çoi në shpërthimin e tyre,” thuhej në një deklaratë të ministrisë.
Në deklaratë thuhej se sipas vlerësimeve, “makina ishte duke u transportuar për në një objekt, ku do të përdorej për realizimin e një operacioni terrorist,” tha ministria e brendshme.