Reklamat e “Coca-Cola”-s në Hungari kanë marrë kritika nga ligjvënësit e partisë Konservatore të vendit, pasi promovojnë grupin e LGBT-ve.
Posterët, të cilët mund të shihen në stacionet e trenave dhe stacionet e autobusëve në Budapest, përkojnë me një festival muzikor që fillon të mërkurën me temën “Revolucioni i Dashurisë”.
Posterat e fushatës “Dashuria është dashuri”, përmbajnë imazhe të çifteve homoseksuale të buzëqeshur, me parulla të tilla si: “Zero sheqer, Zero paragjykim”.
Jo të gjithë janë të lumtur me mesazhin e këtyre reklamimeve, duke përfshirë këtu Boldog István, një deputet nga partia konservatore e krahut të djathtë, Fidesz.
Kjo është partia që mban pushtetin me shumicë në vend që nga viti 2010. “MSN” shkruan se István ka bërë thirrje për bojkot të produkteve të Coca-Cola-s derisa të hiqen reklamat.
“Derisa të heqin posterat e tyre provokues nga Hungaria, nuk do t’i konsumoj produktet e tyre! Jua kërkoj të gjithëve!”, është shprehur Istvan.
Në Hungari ka nisur dhe një peticion për të hequr reklamat nga metroja dhe që nga e shtuna është nënshkruar nga më shumë se 25,000 njerëz.
Në faqen për peticionin thuhet: “Ne fillojmë të bojkotojmë Coca-Cola-n. Dhe në peticionin tonë ne kërkojmë ndihmë për largimin e posterave sa më shpejt të jetë e mundur dhe frenimin e një lobimi homoseksual që synon fëmijët, familjet dhe shoqërinë në tërësi. “