Vendosni fjalën kyçe....

Rritet numri “varfanjakëve” që paguajnë sigurime me pagë minimale, ulen “të pasurit” me paga të larta


Në 2019-n po shtohen individët që paguhen me pagë minimale dhe po ulen ata me paga të larta mbi 120 mijë lekë në muaj, në një sinjal që ekonomia po ul produktivitetin. Struktura e kontribuuesve të sigurimeve shoqërore është përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2019 teksa shihet se, numri i atyre që paguajnë sigurime me pagë minimale zyrtare, që aktualisht është 260 mijë lekë, është rritur ndjeshëm.

Numri mesatar i kontribuuesve në vitin 2018 ishte 778 mijë persona sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve, por 25.3% e tyre siguroheshin me paga minimale. Por në tremujorin e parë të vitit, kjo kategori kontribuuesish u zgjerua, duke zënë 28.5% të totalit, sipas të dhënave të INSTAT.

Kategori të tjera të kontribuuesve me paga më të larta shënuan ulje. Në tremujorin e parë të vitit, kontribuuesit me pagë minimale zyrtare prej 30 mijë lekësh shënuan ulje me -3,9 pikë %. Me ulje erdhi edhe numri i kontribuuesve me paga 50,001 – 60,000 lekë.

Të gjitha kategoritë e pagave të larta mbi 60,000 lekë patën një numër më të ulet të kontribuuesve më 2019. Personat që paguanin sigurime mbi pagat 120,000 lekë zunë 4.1% të totalit të kontribuuesve në janar – mars 2019 nga 4.7% në tremujorin e fundit të vitit.

Niveli i Kontributit për Sigurime Shoqërore është 24.5%. Punëdhënësi paguan 16.7% të kontributeve, ndërsa punëmarrësi paguan 11.2%. Krahasuar me vendet e rajonit, normën më të lartë të kontributeve për sigurimet shoqërore e ka Serbia, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina dhe vendi ynë. Nivelin më të ulët e mban Kosova me vetëm 10%.

Që nga viti 2014, Shqipëria aplikon tatimin progresiv mbi pagat, i cili duket se ka nxitur informalitetin në pagat e larta.

Aktualisht, shkalla e tatimit për pagat deri në 30 mijë lekë është zero, për pagat nga 30-130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 300 mijë lekë dhe pagat mbi 130 mijë lekë tatohen 13 mijë lekë plus 23% e shumës mbi 130 mijë lekë.

Shqipëria ka informalitet të lartë në tregun e punës. Banka Botërore, në raportin e përvitshëm për trendet e punësimit në rajon vuri në dukje se punësimi informal është rritur edhe me 10 mijë persona gjatë vitit 218 në Shqipëri. Së fundmi, Ministria e Financave është angazhuar në një aksion të ri antiinformalitet me fokus edhe në tregun e punës.

Ministria e Financave në fillimjavë njoftoi se ishin inspektuar në sektorin Hoteleri-Turizëm, nga administrata tatimore, rreth 2000 subjekte, ku kanë rezultuar me probleme rreth 40% e tyre.

Nga kontrollet e zhvilluara nga Inspektorati i Punës, në 1,400 subjekte të inspektuara me 10 600 punonjës në total, 38% e tyre rezultojnë me probleme në sigurimin e punonjësve.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *