Luksemburgu u ka bërë thirrje fqinjëve të tij në BE që të zbusin ligjet e tyre për drogën. Kjo pasi ministri i shëndetësisë konfirmoi planet për t’u bërë vendi i parë evropian që do të legalizojë prodhimin dhe konsumin e kanabisit.
“Kjo politikë për drogën që kemi pasur gjatë 50 viteve të fundit nuk funksionoi”, tha ministri Etienne Schneider për “Politico”.
“Ndalimi e bëri atë më interesante për të rinjtë… Unë shpresoj se të gjithë ne do të kemi një qëndrim më të hapur ndaj drogës.”, vijoi ai.
Të gjithë banorët mbi moshën 18 vjeç në Luksemburg, pritet të mund ta blejnë kanabisin për përdorim rekreativ me ligj brenda dy viteve. Shteti do të rregullojë prodhimin dhe shpërndarjen përmes një agjensie kanabisi, shkruan “The Guardian”.
Projektligji pritet të zbulohet më vonë gjatë këtij viti, ku do jepen detaje të mëtejshme mbi llojet e kanabisit që do të dalë në shitje dhe nivelin e taksës që do të vendoset.
Schneider tha që legjislacioni ka të ngjarë të përfshijë një ndalim për jo-rezidentët që blejnë kanabis, në mënyrë që të dekurajojnë turizmin e drogës. Edhe kultivimi i kanabisit në shtëpi ka gjasa të ndalohet.
Të miturit nga mosha 12 deri në 17 vjeç, nuk do të penalizohen për posedimin e pesë gramëve kanabis ose më pak, por ata që shkelin ligjet do të goditen me dënime të ashpra sipas planit.
Schneider tha se ai ishte i interesuar të inkurajojë vendet e tjera të BE-së që të ndjekin rrugën e Luksemburgut.
Luksemburgu tashmë e ka të legalizuar përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Posedimi i sasive të vogla për përdorim rekreativ gjithashtu është dekriminalizuar, por blerja, shitja dhe prodhimi i saj mbetet i paligjshëm.
Ministri i drejtësisë Félix Braz dhe Schneider, vizituan një serë në Smith Falls, Kanada, vitin e kaluar për të parë nga afër prodhimin masiv të kanabisit nga korporata Canopy Growth.