Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja shqiptare mburret për takimin, ambasadori britanik revoltohet: Futi fjalë të pathëna në gojën time


Ministrja e Integrimit Evropian në Kosovë, Dhurata Hoxha, ka marrë një goditje të fortë dje nga ambasadori britanik Ruairi O’Connell.

Pas takimit të tyre, Hoxha publikoi një deklaratë duke u mburrur se ambasadori britanik “vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë.”

Mirëpo siç duket, Hoxha më kot kishte vënë fjalë të pathëna në gojën e ambasadorit, i cili i revoltuar reagoi në rrjetet sociale.

“E vetmja gjë që nuk do të më mungojë në Kosovë është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës duke futur fjalë të pathëna në gojën time.

Takova sot Ministren e Integrimit Evropian, i cila është një mike e vjetër. Pas takimit, Ministria e saj lëshoi ​​një deklaratë për shtyp duke dhënë qëndrime për mua. Kjo nuk ishte rënë dakord me Ambasadën time. U publikua në media, të cilat nuk e kanë konfirmuar lajmin në Ambasadën time.

Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam.

Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut.

Ne diskutuam për rregullin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova ishte në një pikë të rëndësishme, dhe se duhen ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti.

Unë nuk ofrova asnjë vlerësim për punën e institucioneve.

Kjo ka ndodhur disa herë nga institucione të ndryshme dhe parti politike. Tani e tutje, Ambasada ime do të korrigjojë çdo deklaratë të lëshuar pa pëlqimin tonë.

Për të qenë absolutisht e qartë: Mbretëria e Bashkuar nuk mbështet ose kundërshton asnjë parti politike në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë dhe detyrën të marrin përgjegjësi për votën e tyre dhe pasojat.”, tha ambasadori.

Një reagim ky që do të mbahet mend për shumë gjatë. Pas kësaj deklarate,  ministria e Integrimit Evropian ka pranuar gabimin përmes një komunikate për media, duke thënë se: “Zyra e Komunikimit dhe Informimit e Ministrisë së Integrimit Evropian, shpreh keqardhje për versionin e kumtesës e cila kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar”.

Por pavarësisht kësaj, njoftimi i parë mbetet i pandryshuar në faqen zyrtare të ministrisë.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *