Një lajm i hidhur për gazetarinë shqiptare. Fatos Baxhaku është shuar në moshën 55-vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë.
Baxhaku ka qenë një nga figurat më të njohura të gazetarisë për vite me radhë. Baxhaku mban në repertorin e tij qindra raportazhe të shkruara dhe televizive.
Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe “20-vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori.
Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”. Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-2015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshëm “Shqip”. Nga viti 2015 ka ushtruar gazetarinë në profesion të lirë.
Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel”, “Rrugëtim”, “Shtëpi e Vjetër” si edhe i shumë dokumentareve televizive.