Groenlanda ka hedhur poshtë pretendimet se është e gatshme për shitje, pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump ka diskutuar privatisht me këshilltarët e tij idenë e blerjes së ishullit më të madh në botë.
“Ne jemi të hapur për biznes, mirëpo jo për shitje”, ka thënë ministrja e Jashtme e Groenlandës, Ane Lone Bagger për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Trump pritet të vizitojë Kopenhagën në muajin shtator dhe Arktiku pritet të jetë pjesë e agjendës, gjatë takimeve me kryeministrat e Danimarkës dhe Groenlandës, territorit autonom danez.
Bisedimet për blerje të Groenlandës fillimisht janë raportuar nga The Wall Street Journal. Dy burime të afërta me këtë situatë i kanë thënë Reutersit se fillimisht diskutimet kanë nisur si shaka, mirëpo më vonë janë trajtuar seriozisht nga disa zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë.
Politikanët danezë kanë reaguar menjëherë ndaj kësaj ideje.
“Ideja se Danimarka është duke shitur 50,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara, është plotësisht qesharake”, ka thënë zëdhënësi për Punë të Jashtme i Partisë së Popullit Danez, Soren Espersen.
Groenlanda është duke fituar vëmendje nga fuqitë e mëdha globale, duke përfshirë Kinën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të lokacionit strategjik dhe burimeve minerale.