Ndërkohë që të hënën pritet të bëhet konstituimi i këshillit bashkiak në Shkodër pas votimeve të 30 qershorit, Partia Demokatike ka paralajmëruar rikthimin e protestave.
Përmes një njoftimi, dega e PS-së së Shkodrës i bën thirrje Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” që të mos përzihet në atë që e quan lojë e PS-së. PD u bën thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në protestën që do të organizohet ditën e hënë.
“Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës.
Çdo përpjekje për të injoruar me arrogance mesazhin e shumicës së qytetarëve të Bashkisë Shkodër, përmes thirrjeve te paligjshme për mbledhjen e institucioneve moniste të demaskuara tanimë botërisht i konsiderojmë një provokim ndaj rendit normal të punëve në komunitetin tonë dhe përsëritje e veprimeve dhunuese, që kasta puniste e ushtarakëve të përdorur të Tiranës kërkon t’i rinovojë 30 vite pas përmbysjes së regjimit të etërve. .
I bëjmë thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të partisë socialiste.
E njëjta thirrje i adresohet çdo drejtuesi tjetër rajonal ku shpura e të bojkotuarve do të kërkojë të fshihet për të kryer një akt të paaprovuar!
Thirrja dhe akuza kryesore i drejtohet Edi Ramës: Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisë
në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë!
Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj!
Qytetarëve të Shkodrës i bëjmë thirrje që ditën e hënë të bashkohen me anëtarët e Këshillit Legjitim Bashkiak, deputetë dhe kryesinë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të autonomisë vendore, të drejtave pluraliste dhe demokratike që shoqëria shkodrane ka promovuar në histori.”, thuhet në njoftimin e PD-së.