Një sasi prej 55 kilogramësh kanabis sativa është sekuestruar sot nga policia në portin e Durrësit, teksa po trafikohej me kamion në drejtim të Italisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të kamionëve, efektivët me ndihmën e qenve antidrogë, gjetën në një furgon 14 pako me lëndë narkotike me peshë 55.5 kilogramë, e fshehur në vende të ndryshme.
Drejtuesi i kamionit me inicialet M.P. është arrestuar, ndërsa është shpallur në kërkim edhe një tjetër person.
DETAJET E POLICISË
Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së rriskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të kamionëve, në mjetin tip Scania, me drejtues shtetasin M.P., shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 pako me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa me peshë 55.5 kilogramë e fshehur në vende të ndryshme.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M.P., 35 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i mjetit.
Po në lidhje me këtë rast, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë shpallur në kërkim policor shtetasin R.H., 52 vjeç, banues në Vlorë.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.