Dy ditë pas vdekjes së dy punonjësve që ranë nga skela, zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa bën përgjegjës kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kjo sepse, ishte kryebashkiaku Veliaj ai që i kishte kontraktuar kompanitë private që të kryenin punime në një investim të përbashkët “Komunitet-Bashki” për rehabilitimin e fasadave të pallateve në kryeqytet.
Firmat i kryenin punimet jashtë çdo parametri sigurie siç u dëshmua në rastin e rrëzimit të skelës dy ditë më parë, por sipas Zhupës jo vetëm firmat kanë përgjegjësi këtu. Por edhe kryetari i bashkisë.
“Erion Veliaj vazhdon të shkaktoj vrasje në krye të Bashkisë Tiranë. Drejtësi për Ergys Brahimaj dhe Orjan Kodrën!
Ngjarja e 16 Gushtit 2019 ku mbeten të vdekur 2 punëtor ndodhi si shkak i kompanive “Skele Syla” sh.p.k dhe “Xhimi“ sh.p.k , kompani të kontraktuara nga Bashkia Tiranë që kryenin punime jashtë cdo parametri të sigurisë teknike .
Bashkia e Tiranës, si bashkëfinancuese e projekteve në kuadër të “Fondit të Komunitetit”, ka përgjegjësi për zbatimin e tyre, po aq sakompanitë private që i zbatojnë ato. Edhe Inspektorati Shtetëror i Punës, në një deklaratë publike për ngjarjen, thotë ndër të tjera se “aksidenti ka ndodhur…në një pallat të ndërtuar kohë më parë, ku po kryheshin punime nëpërmjet një investimi të përbashkët Komunitet-Bashki”. Duket qartë që janë dy palë në krye të punimeve.
Veliaj është autoriteti i vetëm përgjegjës i firmosjes së kontratave publike, ku bashkia si palë ka qënë bashkë përgjegjëse! Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj është po aq përgjegjëse për ngjarjen, sa edhe kompanitë private “Xhimi Tarushi” dhe “Syla” shpk. Dhe siç janë shpallur në kërkim administratorët e tyre, duhet të jetë në hetim edhe Erion Veliaj!”, shkruan Zhupa.
Në videon e mëposhtme jepet edhe momenti kur Veliaj inauguron nismën e re, të projektit për rehabilitimin e fasadave.
Për më tepër, sipas zëdhënëses së PD-së, bashkia dhe Inspektoriati Shtetëror i Punës kanë dyfish më shumë përgjegjësi sepse nuk kanë ushtruar asnjë kontroll gjatë punës në këtë kantier. Zhupa kujton edhe një tjetër rast të ndodhur tre vite më parë, aksidentin që i mori jetën Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.
“Ndërkohë Bashkia Tirane dhe Inspektoriati Shteteror i Punes kanë përgjegjesi dyfishe se nuk kanë ushtruar asnjë kontroll gjatë punës në këtë kantier. Punëtorët punonin në të zezë ,të pa siguruar dhe shfrytëzoheshin në mungesë të kushteve dhe sigurisë në punë ku fatkeqësisht 2 prej tyre mbetën të vdekur nga rrëzimi i skelës ku ishte vendosur për lyerjen e fasadës së pallatit ku banonte zv. Kryeministi Erion Braçe .
Edhe këtë herë ngjarja është e rënde dhe e njejtë si 3 vite më parë në Landfillin e Sharrës ku dhe sigurisht protagonist dhe pergjegjës kryesor është Erion Veliaj dhe institucionin i tij si autoritet kontraktor i kontratave publike te firmosura .
3 vite më parë Bashkia Tiranë lidhi kontratën me kompaninë “3r” sh.p.k për të kryer diferencimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës. Veliaj e promovoj si sukses dhe shprehu thirrjen për punësim të njerzve në Landfill por pas 2 muajsh ndodhi dhe vrasja e Ardit Gjoklaj në Landfillin e Sharres ku dhe u shfrytëzua në mungesë të kushteve të punës dhe sigurisë.
Politike me vdekjet nuk behet, por ama kjo nuk duhet të na ndaloi që të denoncojmë politikanët që nga veprimet ose mosveprimet e tyre shkaktojnë viktima njerëzish të pafajshëm dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat! Veliaj është një fatkeqësi për Tiranën dhe qytetarët e ndershëm të saj!
Sot duhet drejtësi për Ergys Brahimaj dhe Orjan Kodren! Ashtu si nuk e harrojmë dhe kërkojmë drejtësi për Ardit Gjoklajn!”, shkruan zëdhënësja e PD-së.