Pasi gjeti një sërë problematikash në administrimin e tuberkulozit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e këshilloi qeverinë shqiptare të mbajë shërbimin laboratorik ne spitale në pronësi të shtetit. Nisur nga situata konfuze që ishte krijuar dy vitet e fundit për administrimin e këtij shërbimi me Partneritet Publik -Privat, ekspertët e OBSH-së i kërkuan qeverisë së Shqipërisë pak muaj më parë që shteti të vijonte të kishte nën administrimin e saj shërbimin e laboratorit në spitale.
Por pavarësisht kundërshtive që erdhën për këtë koncesion si nga institucionet financiare ndërkombëtarë ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtarë të specializuara të shëndetësisë qeveria e miratoi koncesionin e shërbimit laboratorik dy muaj para zgjedhjeve lokale.
OBSH vuri në dukje se menaxhimi i tuberkulozit ka hasur problematika vitet e fundit për shkak të problematikës së prokurimit për ilaçet që trajtojnë sëmundjen duke bërë që shumë paciente me TBC të kurohen në Kosovë.
Njëri nga 6 rekomandimet që OBSH dha për përmirësimin e administrimit të tuberkulozit ishte mbajtja në administrim publik të shërbimit të laboratorik në spitale.
Por dy vjet pas mbajtjes në sirtar, Këshilli i Ministrave miratoi kontratën koncesionare për shërbimin laboratorik të analizave mjekësore, ne prill 2019 pavarësisht dyshimeve të Korporatës Financiar Ndërkombëtare (IFC) dhe rekomandimeve te OBSH-se dhe këmbanave të alarmit nga Autoriteti i Konkurrencës.
Qeveria finalizoi koncesionin e katërt në sektorin e shëndetësisë, nën hijen e dyshimeve mbi integritetin e njërës prej kompanive fituese dhe me një vesh shurdh ndaj alarmit për përqendrimin e lartë të tregut spitalor të vendit.
Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” u firmos në mbledhjen e 24 prillit nga zv.kryeministri Erion Braçe, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Vendimi përmbyll përpjekjet 5-vjeçare të qeverisë për dhënien me koncesion të 18 laboratorëve të analizave mjekësore të vendit, në të njëjtat gjurmë me tre kontratat e tjera të partneritetit publik privat në shëndetësi për kontrollin mjekësor bazë (Check-Up), hemodializën dhe sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Katër koncesionet e shëndetësisë do t’u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 40 miliardë lekë [320 milionë dollarë] përgjatë 10 viteve të operimit të tyre.
Koncesioni i laboratorëve u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guackë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.
E planifikuar për t’u firmosur në maj të atij viti, kontrata mbeti pezull për dy vjet me radhë për shkak të kontestimeve nga ana e Korporatës Ndërkombëtare të investimeve, degë e Bankës Botërore dhe konsulente e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë proces.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al