Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis i është drejtuar me një letër organizatës OMONIA në Shqipëri. Në këtë letër Mitsotakis ka deklaruar se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri përbën kusht paraprak për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Shqetësimi kryesor i qeverisë greke dhe i imi personal është mbrojtja me efikasitet i të drejtave minoritare dhe të pronës të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, çka edhe përbën kusht paraprak për hapjen e negociatave të integrimin të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan Mitsotakis.
Sipas kësaj organizate letra është me një rëndësi të veçante politike në referimin e problemeve dhe rolin politik që luan OMONIA.
Në fakt edhe më parë, në disa deklaratë të përsëritura, kryeministri grek e ka paralajmëruar Tiranën zyrtare të tregohet e kujdesshme me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, si dhe të respektojë pronat e tyre, në të kundërt do përballet me veton e Greqisë për sa i përket integrimit në Bashkimin Europian.