Vendosni fjalën kyçe....

Brazili dërgon ushtrinë për të luftuar zjarret në Amazonë


Presidenti i Brazilit ka urdhëruar forcat e armatosura të ndihmojnë në luftimin e zjarreve pyjorë në Amazonë.

Një dekret i lëshuar nga Presidenti Jair Bolsonaro autorizon vendosjen e ushtarëve në rezervat e natyrës, tokat indigjene dhe zonat kufitare në rajon.

Njoftimi vjen pas presionit të fortë nga liderët evropianë.

Bolsonaro ka kritikuar reagimin e kombeve të tjera, duke këmbëngulur që zjarret “nuk mund të përdoren si pretekst” për sanksione ndëshkuese.

Ky reagim erdhi pasi Franca dhe Irlanda thanë se nuk do të ratifikonin një marrëveshje të madhe tregtare me vendet e Amerikës së Jugut, përveç nëse Brazili bën më shumë për të zgjidhur problemin e zjarreve në Amazonë.

Shumë prej zjarreve mendohet se kanë filluar me qëllim. Dyshimet bien mbi fermerët që mund të përfitojnë duke pasur më shumë tokë në dispozicion.

Bolsonaro ka deklaruar mbështetje për pastrimin e zonave të Amazonës për bujqësi ose miniera dhe është përballur me kritika të rënda nga ekspertë që thonë se administrata e tij i ka dhënë një dritë jeshile shkatërrimit të pyjeve të shiut.

Bolsonaro gjithashtu përballet me mundësinë e sanksioneve ndërkombëtare. Ministri i Financave i Finlandës i ka bërë thirrje BE-së që të shqyrtojë ndalimin e importeve të viçit brazilian.

Në një fjalim televiziv drejtuar kombit të premten, Bolsonaro tha se zjarret pyjorë “ekzistojnë në të gjithë botën” dhe “nuk mund të shërbejnë si pretekst për sanksione të mundshme ndërkombëtare”.

Grupet e mjedisit zhvilluan protesta në qytetet anembanë Brazilit të premten, për t’i kërkuar Bolsonaros të luftojë zjarret. Protestues u mblodhën gjithashtu jashtë ambasadave braziliane nëpër botë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *