Vendosni fjalën kyçe....

Shkrimtari australian arrestohet për spiunazh, përplasje mes Kinës dhe Australisë


Mes tensioneve diplomatike në rritje mes Kinës dhe Australisë, dy vendet kanë njoftuar se një shkrimtar Australian por me origjinë kineze, i cili mbahet në Kinë që prej janarit është arrestuar zyrtarisht të premten nën akuzat për spiunazh.

Yang Hengjun, një ish-diplomat kinez i kthyer në gazetar dhe bloger, u arrestua në qytetin jugor të Guangzhou ndërsa ishte duke pritur për një transferim në Shanghai pasi kishte fluturuar nga Nju Jorku. Ai u transferua më vonë në kryeqytetin Pekin.

“Dr Yang po mbahet në Pekin në kushte të vështira pa akuza për më shumë se shtatë muaj”, tha Ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne, citon Reuters.

Ajo shtoi se Yang u arrestua zyrtarisht nën dyshimin për spiunim të premten e kaluar, pasi i ishte ndaluar të largohej nga Kina për muaj me radhë. Spiunazhi dënohet me vdekje në Kinë.

Arrestimi i Yang, 53 vjeç, vjen në një kohë kur Pekini po lufton të përmbajë protestat antiqeveritare në Hong Kong, qyteti gjysmë-autonom kinez.

Duke folur në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuang konfirmoi arrestimin e ish-diplomatit të premten me dyshimin e spiunazhit. Shuang i kërkoi Australisë të hiqte dorë nga ai.

“Kina është fuqimisht e pakënaqur me deklaratën e Australisë për këtë rast. Dua të theksoj se Kina është një vend me sundim të ligjit dhe Australia duhet të respektojë me zell sovranitetin gjyqësor të Kinës dhe të mos ndërhyjë në trajtimin e çështjes në Kinë “, tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se Yang ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe se po i  respektohen të gjitha të drejtat.

Gruaja australiane e Yang, gjithashtu është ndaluar të largohet nga Kina. Lidhjet e forta tregtare midis dy palëve mund të shtojnë ndjeshmërinë diplomatike të çështjes, pasi Kina është tregu më i madh i eksportit në Australi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *