Pesë persona kanë ndërruar jetë dhe shumë të tjerë janë plagosur pas sulmit në Texas të SHBA-ve.
I pari që u qëllua ishte një polic që ndaloi makinën e personit të armatosur mes qyteteve të Midland-it dhe Odess-ës.
Por ajo që bëri më tej autori ishte thjesht të vazhdonte të qëllonte shoferë të tjerë dhe kalimtarë. Më pas ai braktisi makinën e tij, duke grabitur një kamion. Në fund u qëllua nga policia në një kompleks kinemaje, raportojnë mediet ndërkombëtare.
Sulmuesi ishte një 30-vjeçar, i bardhë.
Rreth 20 persona u plagosën në këtë incident të fundit, tre prej tyre policë, megjithëse policia tha se jo të gjithë ishin qëlluar. Disa u prenë me xham kur makinat u goditën nga plumbat.
Spitali i Qendrës Mjekësore në Odessa bëri me dije se një fëmijë 17 muajsh ishte prekur në fytyrë nga një plumb. 7 të tjerë janë në gjendje të rëndë.
Policia tha se incidenti i së shtunës filloi pas orës 15:00, pasi dy oficerë të Departamentit të Sigurisë Publike në Teksas tërhoqën një automjet në autostradën Midland.
Shoferi më pas hapi zjarr ndaj oficerëve para se të largohej. Ai pastaj filloi të shtënat te njerëz të tjerë në disa vende të tjera.
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton u shpreh në një deklaratë se ishte “i tmerruar kur pa një veprim të tillë të pakuptimtë”.
Një muaj më parë 22 persona u vranë me armë zjarri në qytetin e El Pasos, Texas.