Misioni i ODIHR/OSBE-së ka publikuar në shtator raportin përfundimtar për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. Ky raport është interpretuar nga partitë politike dhe nga blogerët e kampeve përkatëse, sipas interesit.
Partia Demokratike bashkë me LSI-në po e shet këtë raport sikur ka vulosur de-legjitimimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Rilindja dhe blogerët e saj, po e paraqesin si një raport që i njeh zgjedhjet por bashkë me njohjen rendit dhe ca problematika të natyrës administrative elektorale.
Duket se në dy dekadat e fundit, nuk ka ndryshuar asnjë gjë.
ODIHR-i vazhdon e harton raporte me përmbajtje sterile, duke mbajtur dhe ca kohë zonjën Gloover në punë.
Ndërsa partitë politike shqiptare, këto raporte sterile, i kthejnë në kauza mediatike sipas interesit, duke marrë si të mirëqenë konkluzionet e zonjës Gloover, e cila si rregull duhej të kishte dalë në pension.
Raporti i ODIHR, paraqet në mënyrë të detajuar disa probleme që lidhen me administrimin e zgjedhjeve, mbi rregulloren e votimit, listat, qëndrimin e televizioneve kombëtare, trajnimin e stafit elektoral nga KQZ etj, por ka kaluar tangent gjënë më të rëndësishme: Asgjësimin e Gjykatës Kushtetuese.
ODIHR nuk mund të ofrojë një raport të ngjashëm me raportet e viteve të mëparshme.
Sepse dhe në vitin 1997, ku Shqipëria ishte në luftë civile, të dyja kampet hynë në zgjedhje.
Situata në Shqipërinë e 30 Qershorit të 2019-ës ishte e paprecedent dhe ky raport i ODIHR, si rregull duhej të vinte i ndryshëm, në shpjegim të një situate krejt të ndryshme.
Legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve, u cenua dhe u komplikua nga qëndrimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili anuloi dekretin e datës 30 Qershor, dhe me dekret të ri caktoi një tjetër datë zgjedhjesh në Tetor, duke e justifikuar këtë lëvizje si një zgjidhje që i jepte mundësi palëve për të zhvilluar zgjedhje pluraliste, ku opozita do ishte pjesëmarrëse.
Kjo lëvizje e Metës mund të gjente sqarim vetëm nga Gjykata Kushtetuese, por Shqipëria nuk e ka më një të tillë, pasi reforma çyryke në drejtësi (aq e propaganduar nga ndërkombëtarët), e asgjësoi Gjykatën Kushtetuese.
Dhe çfarë ndodhi?
Në pamundësi absolute për të shqyrtuar juridikisht problemin, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, nga SHBA-ja erdhi zoti Matthew Palmer, i cili i bëri dy lëvizje:
E para, i lidhi duart opozitës, duke e shantazhuar se çdo skenar i dhunshëm jo-institucional për 30 qershorin do ishte faturë e rëndë për opozitën.
E dyta, në pamundësi absolute për të garantuar rrugë ligjore, Palmer dhe amerikanët i ranë shkurt, i thanë Edi Ramës të vijonte me datën 30 Qershor.
Kaq ka ndodhur.
Zgjedhjet e 30 Qershorit nuk janë problem elektoral i Shqipërisë, madje do ishim me fat sikur të ishte problem i tillë.
Këto zgjedhje kulmuan si një problem tepër i fortë Kushtetues dhe politik, që zbuloi dy aspekte:
E para, zbuloi dëmin kolosal që na ka sjellë e ashtuquajtura reformë në drejtësi, që çoi në eleminimin e Gjykatës Kushtetuese.
E dyta, zbuloi hilenë e faktorit ndërkombëtar, që për vite me radhë e synoi reformën në drejtësi, por sot bëjnë sikur nuk po e kuptojnë se çfarë kanë gatuar në Shqipëri me këtë reformë, e sigurisht që zgjedhin rrugën më të leverdisshme për ta, rrugën që nuk i përball me përgjegjësinë direkte që ata kanë për goditjen e rendit kushtetues në Shqipëri.
Brenda suazës së këtij moçali ndërkombëtarësh funksionon dhe zonja Gloover, e cila si në prag pensioni që është, ka menduar se është më mirë të fokusohet te politizimi i administratës, se sa të analizojë pasojat që ka sjellë në këtë vend reforma në drejtësi dhe diktatura e anarshisë kushtetuese.
Zonja Gloover i ka kushtuar veç pak rreshta në raport mungesës së Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se mungesa e saj shkaktoi “pasiguri juridike”. Duhet të jetë lodhur shumë për të gjetur këtë përcaktim zonja Gloover, pasi efekti mund të përshkruhet më shqeto: Lëmsh, anarshi kushtetuese, diktaturë e anarshisë.
Në kushtet kur të gjithë faktorët politikë shqiptarë shkuan vetë dhe e votuan këtë lëmsh me reformën në drejtësi, tani i shohim që hedhin vallen sipas këngës së zonjës Gloover, duke u përpjekur të fitojnë kredite nga një raport mediokër që nuk sqaron fare rezultanten e forcave që na çoi në këtë anarshi kushtetuese dhe e paraqet situatën sikur imazhin e zgjedhjeve na e paska cënuar Drejtoria e Logjistikës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Duhet të jesh imbecil nëse e merr për të mirëqenë këtë raport, ose komandant i imbecilëve, nëse mendon se me këtë raport mund të bësh politikë apo propagandë. / Hashtag.al