Vendosni fjalën kyçe....

Masakra me 8 viktima në Selenicë, burg përjetë për Ritvan Zykajn


Burg përjetë për Ritvan Zykajn, 25-vjeçarin që vitin e kaluar mori jetët e tetë personave që i kishte të afërm në Selenicë.

Ky është vendimi që ka marrë sot Gjykatra e Shkallës së Parë Vlorë. Prokuroria e Vlorës i mbylli hetimet dhe dorëzoi në Gjykatë kërkesën për gjykim, më datë 8 janar të këtij viti. Për ngjarjen në fjalë, ndaj Zykajt nuk pati gjykim të shkurtuar, i cili nuk parashikohet më në ligj, i ndryshuar në Kod prej vitit 2017, në rastet e kryerjes së Krimeve të Rënda.

Për këtë ngjarje, ligji e parashikon dënimin me jo më pak se 35 vjet burg, deri në burgim të përjetshëm. Për shkak të përmasave të rënda të ngjarjes, akuza kërkoi burgim përjetë për Zykajn.

Ngjarja

Është e vështirë të harrohet masakra e ndodhur më 10 gusht të vitit të kaluar në fshatin Resulaj, në Selenicë të Vlorës, ku 8 persona, mes tyre edhe fëmijë u vranë me gjakftohtësi në shtëpinë e tyre.

Viktimat ishin: Demir Zykaj 76 vjeç, Perri Zykaj 76-vjeç, Besim Zykaj 45-vjeç (i biri), Vasilika Zykaj 40 vjeç (bashkëshorte e Besimit), Sara Zykaj 17 vjeçe (vajza e Besimit) Ledion Zykaj 6 vjeç (djali i Besimit), Azem Zykaj 49 vjeç (i biri), Afërdita Zykaj 47- vjeç (bashkëshorte e Azemit).

Ritvan Zykaj u kap nga policia pas 12 orësh në arrati, e madje mbajti dhe qëndrim të fortë përpara policisë duke thënë “Më keni kapur me vonesë”.

I pyetur në polici për motivet e krimin, nën statusin e të dyshuarit, Zykaj tha dy familjet Zykaj, të afërm të tij e kanë akuzuar për vjedhje. Në fakt një gjë të tillë e ka rrëfyer për mediat edhe gjyshi i Ritvan Zykajt, i cili tha që një nga nuset e familjes së vrarë, e kishte akuzuar të nipin se i kishte vjedhur 5 pula deti.

Gjyshi dhe të tjerë të afërm të tij nuk e kanë përkrahur 25-vjeçarin gjatë procesit gjyqësor, madje as nuk e kanë takuar.

Në të vetmen seancë që u paraqit, gjyshi i Ritvan Zykajt, i vetmi që ka mbetur në fshatin Resulaj nga fisi Zykaj, është shprehur: “Të marrë dënimin që meriton. Nuk e kemi takuar dhe nuk kemi pse ta takojmë. Na mbylli dyert, të dënohet. Ne nuk kemi pse vijmë në gjykatë”.

Lajmi mori dhenë dhe ngjarja u raportua edhe në mediat ndërkombëtare.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *