Zëdhënësi i Presidentit të Republikës ka reaguar në lidhje me se pse Ilir Meta nuk i’u përgjigj pyetjes së një deputeti në Komisionin Hetimor ditën e sotme.
Deputeti e pyeti Presidentin nëse: “ishte Kreu i Shtetit, në konflikt interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve?” zëdhënësi i tij Tedi Blushi është përgjigjur duke thënë se vetë deputeti është në konflikt interesi me vendimin e Presidentit.
Reagimi i plotë:
Presidenti i Republikës Ilir Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar.
Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi.
Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani.
Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji.
Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit:
- Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit.
- Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019.
- Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.
- Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.