Pasi nëna dhe tezja e saj i bënë apel shtetit ta çonin për mjekim të specializuar jashtë vendit, 15-vjeçarja Elona Kuburja preku zemrat e shumë njerëzve.
E reja nga Fushë-Kruja pritej t’i nënshtrohej një operacioni të vështirë për sëmundrjen e rrallë që e kishte prekur, hemangioma kongenitale.
Adoleshentja u dërgua për mjekim të specializuar në Turqi, por fatkeqësisht raportohet se ajo ka ndërruar jetë.
Një muaj më parë Elona kishte mbërritur në ambientet e QSUT-së me shumë hemoragji. Mjekët që e trajtuan nuk e njihnin si sëmundje, por u detyruan ta operonin për t’i shpëtuar jetën dhe për t’i ndalur hemoragjinë.
Familjarët e Elonës i bënë apel shtetit përmes medias, se adoleshentja kishte vetëm 24 orë kohë pasi në çdo çast gjendja e saj mund të përkeqësohej. Ajo duhej patjetër të dërgohej jashtë vendit për mjekim të specializuar.
Gazetarja nga Kosova, Saranda Hoda, e cila ka vuajtur vite më parë nga e njëjta sëmundje e rëndë bëri përpjekjet maksimale që Elona të mund të operohej në të njëjtin spital në Beograd ku vetë ajo gjeti shërim.
Ajo shkoi në Beograd për të negociuar me spitalin shtetëror serb pa pritur burokracitë e shumta të Ministrisë se Shëndetësisë Shqiptare. Mjeku Nenad Ivancevic u shpreh i gatshëm të marrë përsipër operacionin, por tha se duhet një ndërhyrje nga pala shqiptare që vajza të shtrohet fillimisht në pediatrinë e Qendrës Mjekësore në Beograd e më pas gjithçka ishte e zgjidhur.
Por qeveria ndërkohë, pas apelit të familjarëve për ndihmë i ishte drejtuar autoriteteve turke. Vetë kryeministri Edi Rama, tha se Elona do dërgohej në një spital në Turqi, ku ishte ngritur një ekip mjekësh posaçërisht për adoleshenten nga Fushë-Kruja.