Vendosni fjalën kyçe....

Zgjaten me dy muaj afatet e paraburgimit për grupin “Bajri”


Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka zgjatur me dy muaj afatet e paraburgimit për grupin kriminal “Bajri”.

Trupa gjyqësore e përbërë nga Iliriana Olldashi, ka pranuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Renda dhe pjesërisht kërkesën e mbrojtësit, avokatit Arbër Hoxha, duke zgjatur vetëm me dy muaj afatet e paraburgimit për 4 personat nën hetim, Safet Bajri, Ilir Bajri, Ismet Idrizi dhe Asmer Bilali.

Në këto kushte, pritet që Prokuroria të dorëzojë maksimalisht brenda datës 20 nëntor dosjen në Gjykatë për Grupin “Bajri”.

Pjesëtarë të ndryshëm të dyshuar të grupit “Bajri” janë duke u hetuar për disa vrasje dhe atentate në qytetin e Shkodrës, por edhe në vende të tjera.

Ky grup dyshohet gjithashtu për pjesëmarrje në trafik droge dhe vendosje gjobash në qytetin e Shkodrës.

Në shtator të vitit 2018 Krimet e Rënda urdhëruan arrestimin e 11 anëtarëve të grupit Bajri pasi ndaj tyre ishin ngritur akuza për 2 vrasje të dokumentuara që prej vitit 2001, prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizimi i llotarive sportive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, prodhim dhe shitje narkotikësh. Dy prej të arrestuarve ranë në pranga në Roterdam të Holandës në të njëjtën kohë me aksionin që u zhvillua në Shqipëri.

Mes të arrestuarve në Shqipëri ishte edhe Safet Bajri, një nga organizatorët e grupit ndërsa Enver Bajri, i dyshuar si drejtues i grupit kriminal ra në pranga më 27 tetor në një aksion të interpolit në Spanjë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *