Pas Ambasadës Amerikane, edhe ajo britanike ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ishi-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
“Verdikti për Saimir Tahirin tregon se sistemi gjyqësor në Shqipëri po maturohet. Por dështimi për të dhënë dënim për akuza më të rënda ngre pikëpyetje dhe tregon rëndësinë për ta çuar deri në fund reformën gjyqësore në vend”, -thuhet në reagimin e ambasadës britanike.
Reagimi i ambasadës së drejtuar nga Duncan Norman, vjen në të njëjtën linjë me atë të ambasadës Amerikane.
Sipas kësaj të fundit, vendimi i gjykatës për ta shpallur Tahirin fajtor vetëm për korrupsion, dëshmon rritjen e pavarësisë së gjyqësorit nga politika.
“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.”, thuhej në njoftim.
Tahiri akuzohej për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Mirëpo gjykata e shpalli ish-ministrin Tahiri të pafajshëm për dy akuzat e fundit dhe fajtor vetëm për njërën akuzë, atë për “korrupsion”.
Gjykata e dënoi atë me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, duke e reduktuar atë në 3 vjet e katër muaj burg.
Por përsëri Tahiri nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3-vjeçare.