Gazetarët e pyetën sot ish-ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, lidhur me pëlqimin që pasardhësi i tij në detyrë Fatmir Xhafaj, i bëri deklaratave të ambasadave amerikane.
Tahiri u tregua i matur duke thënë se do të vijë dita kur ai të përgjigjet për këto pyetje, por shtoi se e di shumë mirë se kë ka rrotull.
“Kam përshtypje që merret një tjetër ekip për like dhe share. S’dua të merrem me këtë. S’më interesojnë. Do vijë dita që unë të kem një përgjigje për këto tani. Unë dua të kem një përgjigje për të vërtetën time. S’dua të bëj komente që mund të jenë të parakohshëm sot. Unë e di se kë kam rrotull…S’jam nga ata që se di”, tha Tahiri.
Ndërsa lidhur me komentet e ambasadave, Tahiri tha se ishte dekurajuar pasi të deleguarit e vendeve të tjera s’mund të flasin për vendime të pazbardhura akoma të gjykatave.
“Sa i takon deklaratave të ambasadave, ishin dekujaruese dhe për mua që i dëgjova. E theksoj, në kulturën time nuk flitet për një vendim gjykate, për më tepër nuk flitet për një vendim gjykate që nuk është zbardhur akoma.”, tha Tahiri.
“Nuk është në kulturën time të flas për vendimin e gjykatave, nuk besoj se ndodh në Amerikë që një ambasadë që flet për vendimin e gjykatave dhe nuk besoj të ketë presion më të madh ndaj gjykatave sesa kjo”, shtoi ish-ministri.