Vendosni fjalën kyçe....

Pasojat nga tërmeti, Meta i kërkon Ramës të ftojë në vend Agjencinë e Energjisë Atomike


Presidenti Meta i ka kërkuar qeverisë të ftojë në vend Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, për të vlerësuar sigurinë dhe rezistencën e banesave të prekura nga tërmeti i i fuqishëm i para dy ditëve.

Në deklaratën e tij, kreu i shtetit thekson se është shumë e rëndësishme ruajtja e qetësisë dhe vlerësimi teknik i banesave është një hallkë e rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson ruajtjen e qetësisë nga të gjithë dhe rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, pa përjashtim, nga aktorët institucionalë, politikë, shoqërorë dhe mediatikë, për normalizimin e plotë të situatës, pas tronditjeve të ditëve të fundit. Transprenca dhe përgjegjshmëria maksimale për evidentimin e pasojave është tepër e rëndësishme në këto momente. Në veçanti, vlerësimi teknik i banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara është tepër i domosdoshëm për të ardhmen. Ndaj duke vlerësuar dhe solidaritetin e vendeve partnere dhe Bashkimit Europian, Presidenti Meta i kërkon qeverisë të ftojë zyrtarisht edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që ka kapacitetet e duhura për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore.” – shkruan Meta në deklaratën e tij.

Në fund, Meta shkruan se keqpërdorimi i situatës nuk është rruga për të përballuar situatën dhe tronditjen e pasojat nga tërmeti, duke u bërë thirrje qytetarëve të shtojnë kontributet solidare.

“Keqpërdorimi nga kushdo i kësaj situate, nuk është rruga e duhur për të përballuar një shqetësim të përgjithshëm, në mënyrë të bashkuar dhe të përgjegjshme, vetëm në interes të qytetarëve të traumatizuar nga tronditjet dhe pasojat në banesat e pronat e tyre. Të gjithë duhet të shtojnë kontributet pozitive dhe solidare në bazë të përgjegjësive institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare.” – mbyll Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *