Fushë-Kruja ishte një nga zonat më të përmbytura pas stuhisë së të hënës dhe sot uji është tërhequr nga banesat.
Por ka lënë pas shumë baltë, duke i shkaktuar shumë peripeci familjeve të prekura, të cilat që dje pasdite apo me mëngjes kanë nisur pastrimin e banesave nga lluca e balta.
Fshatrat që u prekën dje nga përmbytjet, janë Luz, Mazhe, Mallkuc, Gjuricë, Bilaj, Murqinë, Hasan, Ura e Gjolës.
Disave prej banesave më të përmbytura, u kanë dalë jashtë përdorimit dhe një pjesë e pajisjeve shtëpiake. Për shkak të motit të keq, probleme dje janë hasur edhe në Laç, Lezhë, Kamëz, Vorë, Tiranë, Shkozë.
Edhe pse pati raportime që prej mëngjesit për përmbytje, shumë banorë të Fushë-Krujës janë ankuar se autoritetet nuk u janë gjendur pranë. Disa familje me të moshuar apo me fëmijë, kishin mbetur në banesa të bllokuara nga uji. Dy kryefamiljarë telefonuan pasdite në redaksinë tonë, për t’u ankuar se kishin thirrur disa herë policinë dhe emergjencat civile për t’i ardhur në ndihmë, por ata nuk i ishin përgjigjur thirrjes së tyre./Hashtag.al