Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e pyetur nga gazetarët komentoi largimin e Ivi Kasos nga tryeza e sotme e OSBE-së për Reformën Zgjedhore, pasi bëri kërkesat e opozitës për Reformën Zgjedhore. Kryemadhi tha se kishin rënë dakord që në seancën e parë, opozita të ishte e pranishme.
“Ndoshta ka qenë një reagim emocional i Ivi Kasos, se ne kishim rënë dakord që të ishim të pranishëm vetëm në seancën e parë. Prezenca jonë atje ka qenë për të dhënë një sinjal se procesi i hapjes së negociatave është me interes. Prezenca e tyre ishte për të treguar se opozita është e gatshme për çdo tryezë, e cila synon të zgjidhë krizën. Opozita është për dialog institucional. Sigurisht opozita përgatitet për çdo situatë politike ku mund të gjendemi.”, tha Kryemadhi.
Ashtu sikurse kreu i PD-së Lulzim Basha, edhe kryetarja e LSI-së mban të njëjtin qëndrim për protestat. Në bashkëbisedimin me gazetarët, Kryemadhi tha se negociatat janë më të rëndësishme se protestat dhe për këtë arsye vëmendja e opozitës së bashkuar është përqendruar atje.
“Ne mund të themi se kemi menduar se është më i rëndësishëm procesi i integrimit për Shqipërisë, pasi kjo është një mundësi shumë e madhe për qytetarët. Hapja e negociatave është më e rëndësishme se protestat. Kushtet e Bundestagut janë shumë të rënda, që për hir të së vërtetës, ku ne shpresojmë të hapen dhe rezoluta e parlamentit gjerman ishte një mënyrë për t’iu thënë shqiptarëve se ju e meritoni BE, por jo politika shqiptare ”, tha Kryemadhi.