Zëdhënësi i presidentit Meta, Tedi Blushi, ka publikuar një video duke ironizuar shumicën për sa i përket shqyrtimit të dekretetit të presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve nga ana e Komisionit të Venecias.
Në video tregohet deputetja e Partisë Socialiste, Kodheli, që është kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme. Kjo e fundit në një studio televizive tha në datën 10 shtator, pas takimit të anëtarëve të Komisionit të Venecias me përfaqësuesit e shumicës se ky komision do asistojë qeverinë lidhur me çështjen e dekretit të Metës për zgjedhjet e 30 qershorit.
Sipas Kodhelit, edhe anëtarët e Komisionit të Venecias ishin të mendimit se në vendimin e kreut të shtetit për shtyrjen e zgjedhjeve kishte shkelje të Kushtetutës.
“Besoj që në këtë proces do na ndihmojë Komisioni i Venecias, i cili për ç’ka kam dëgjuar dhe për ç’ka jam informuar mendon që ka një shkelje të Kushtetutës.” – deklaroi Kodheli në studion televizive.