Nëntë persona janë proceduar nga policia për akte dhune, pas sherrit të djeshëm në stadiumin “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Tirana-Partizani.
Një person është arrestuar, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Tifozeritë e të dyja skuadrave u përplasën dje me njëra-tjetrën në pjesën pas porte. Është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë për të shmangur përplasjen.
Mendohet se arsyeja e këtij sherri masiv u bë fonia e stadiumit, e cila ishte vendosur pranë tribunës ku qëndronte tifozeria e Partizanit. Tifozët kanë zbritur dhe kanë dashur ta heqin, por tufozët e Tiranës kanë tentuar t’i ndalojnë dhe mes tyre ka nisur përplasja fizike.
DETAJET E POLICISË
Nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe “Shigjeta” u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe është konfliktuar me tifozët e Partizanit. Nga verifikimet e bëra ky shtetas rezultoi me masë sigurie “Arrest shtëpie”, të cilën e kishte thyer duke dalë nga banesa.
Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”, shtetasit:
M. M., 22 vjeç, banues në Tiranë;
A. M., 19 vjeç, banues në Tiranë;
Th. B., 25 vjeç, banues në Tiranë;
B. L., 46 vjeç, banues në Tiranë;
G. Q., 28 vjeç, banues në Tiranë;
E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë;
Këta shtetas gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani kanë hedhur në fushë lëndë piroteknike.
Janë shpallur në kërkim dhe dy shtetas për veprat penale për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive” “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjes janë konfliktuar me tifozët e Partizanit. Gjithashtu dyshohet se këta dy shtetas, gjatë natës, përballë tribunës ku ishin ulur, kishin hapur tre gropa, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me menkanizëm me ndezje elektrike.
Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.