Disa të shtëna me armë shkaktuan panik mbrëmjen e kaluar në qytetin e Shijakut. Policia ka zbardhur sot detajet mbi ngjarjen dhe thotë se ka patur një tentativë për vrasje.
Një shtetas me inicialet I. B., 27 vjeç, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbatja pa leje”. Ai dyshohet se pas një konflikti të çastit ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, brenda të cilit ndodhej një çift. Makina drejtohej nga shtetasi F. K., 30 vjeç. Fatmirësisht dy personat i kanë shpëtuar plumbave.
“Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak, pas një pune hetimore intensive dhe reagimit në kohë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shijak
Në përfundim të veprimeve të para hetimore është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit I. B., 27 vjeç, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbatja pa leje”.
Ky shtetas dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi F. K., 30 vjeç, ku ishte pasagjere shtetasja Xh. K., 30 vjeçe, banuese në Shijak.
Nuk ka asnjë të lënduar, veç dëme materiale të automjetit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.