Ish-deputetja Jorida Tabaku, ka publikuar udhëtimet me anije të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, kompania që kishte porositur bananet pas 137 kilogramëve me drogë që u kapën javën e kaluar në portin e Durrësit.
Sipas faqes që tregon udhëtimet e anijeve me ngarkesë, rezulton se kompania në fjalë ka kryer 151 udhëtime me të njëjtin intenerar. Tabaku thotë se ky është një ndër rastet që vërteton protagonizmin e Shqipërisë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Shqipëria e cila kërkon integrimin në BE është kthyer në një vend kyç sa i takon drogërave, janë 3 raste të paraqitura për publikun këto ditë që vërtetojnë protagonizmin (ashtu si është bërë e udhës këto 6 vitet e fundit) në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Rasti më i bujshëm ishte ai i disa ditëve më parë ku një sasi rekord kokaine u kap falë ndërhyrjes së DEA-s. Por porositësi i shpëtoi aksionit.
Faqja që tregon udhëtimet e anijeve me ngarkesë zbulon se kompania Alba Exotic Fruit shpk, (https://panjiva.com/Alba-Exotic-Fruit-Shpk/29513544) ka kryer 151 udhëtime me të njëjtin intenerar. Secili prej nesh e ka të thjeshtë të kryejë llogaritë se sa kg kokainë mund të jenë transportuar.”, shkruan Tabaku.
Ish-deputetja demokrate kujton se një ndër kriteret e Bundestagut gjerman lidhet pikërisht me trafikimin e lëndëve narkotike. Tabaku thotë se nuk është e drejtë që shqiptarët të mbahen peng i qeverisë së Edi Ramës.
“Një nga kriteret e vendosura nga Bundestag lidhet me trafikimin e lëndëve narkotike dhe shndërrimin e Shqipërisë në nje bazë për drogat e forta dhe nyjë në trafikun ndërkombëtar.
Integrim do të thotë plotësimi kushteve, kjo e fundit do të thotë vullnet politik dhe kjo mungon. Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë peng i politikës së kësaj qeverie dhe mazhorance. Shqipëria ka nevojë për politikanë seriozë, për rezultate konkrete e jo për propagandë. Trafiku i drogës e lufta ndaj krimit të organizuar përherë e më shumë po theksohen si kritere si shkak i mungesës së progresit në to!
Nuk është kjo Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë, nuk është kjo rruga Europiane e Shqipërisë! Me Edi Ramën nuk mund të ketë Shqipëri europiane!”, vijon më tej Tabaku.
Sipas policisë Eduart Dauti, pronari i kompanisë është dhe pronari i banesës te Shkëmbi i Kavajës, ku do të magazinohej kokaina e marrë në kontejner dhe që sipas policisë ishte baza e grupit. Por deri më tani, emri i biznesmenit Dauti nuk është lakuar në operacionin “Kuito” që vuri në pranga 2 persona që pritën kokainën dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Në pranga u vunë Ardian Bega dhe Altin Mislihaka ndërsa në kërkim është Gentian Malindi.
Gentian Malindi, 42 vjeç, është personi i shpallur në kërkim nga policia për 137 kilogramët e kokainës të kapura në kontenierë me banane në Portin e Durrësit.