Vendosni fjalën kyçe....

“El Chapo i dha 1 milion dollarë vëllait të presidentit të Hondurasit”


Juan Orlando Hernandez, presidenti i Hondurasit

Prokurorët amerikanë thonë se lordi i drogës meksikane Joaquín “El Chapo” Guzmán, i ka dhënë 1 milion dollarë vëllait të presidentit të Hondurasit, një ryshfet që synonte të arrinte te lideri i vendit.

Kjo akuzë u lexua në fillim të gjykimit të vëllait të Presidentit Juan Orlando Hernández në New York, shkruan “BBC“. Juan Antonio Hernández u arrestua gjatë një operacioni antidrogë në Miami në nëntor.

Presidenti tha se pretendimet ishin “100% të rreme, absurde dhe qesharake”. Udhëheqësi konservator, i cili gëzon mbështetjen e administratës së Trump, tha se akuzat ishin “më pak serioze sesa Liza në Botën e Çudirave”.

Presidenti 50-vjeçar theksoi se prokurori nuk tha që ai kishte marrë paratë që “gjoja i ishin dhënë” vëllait të tij.

Juan Antonio Hernández

Çfarë ndodhi në New York?

Juan Antonio “Tony” Hernández, 41 vjeç, përballet me katër akuza, duke përfshirë bashkëpunim kriminal në importimin e kokainës në SHBA dhe vepra për armë. Ai i mohon akuzat. Nëse dënohet ai rrezikon të përballet me burg të përjetshëm.

“I pandehuri ishte i mbrojtur dhe kishte qasje te vëllai i tij, presidenti aktual i Honduras, një njeri i cili vetë ka marrë miliona dollarë në ryshfete nga paratë e drogës”- tha ndihmësi i Prokurorit, Jason Richman.

“Ryshfete që ai i mori nga disa prej trafikantëve më të mëdhenj të kokainës në botë, ryshfete që ai mori nga burra si ‘El Chapo” dhe karteli Sinaloa që personalisht i dorëzuan të pandehurit 1 milion dollarë për vëllanë e tij. “, vijoi ai.

Joaquín “El Chapo” Guzmán

Prokurori nuk tha kur ndodhi transaksioni i pretenduar nga Guzmán. Në fillim të këtij viti, Guzmán u dënua me burg të përjetshëm nga një gjykatë amerikane.

Hondurasi ka shërbyer si një nga rrugët kryesore si tranzit për kokainën e kontrabanduar nga Kolumbia dhe vendet e tjera të Amerikës së Jugut për në SHBA.

Mijëra honduras janë larguar nga vendi në vitet e fundit, kryesisht për në SHBA, për shkak të dhunës dhe varfërisë në vendin e tyre.

Javën e kaluar, Hondurasi nënshkroi një marrëveshje me administratën e Trump për të pranuar migrantët që aplikojnë për azil në SHBA.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *