Kreu i opozitës së bashkuar theksoi në deklaratën e tij për mediat, se opozita e bashkuar është e interesuar për reformën zgjedhore, e vetmja që mund të ofrojë zgjedhje të lira e të ndershme e që do e nxjerrë vendin nga kriza.
I pyetur se çfarë do bëjë opozita jashtë parlamentare nëse Rama e miraton reformën zgjedhore me opozitën ‘e re’, Basha u përgjigj duke thënë se vendi ka vetëm një opozitë.
Ndërsa i kujtoi Ramës se nuk mund ta bëjë reformën me Tom Doshin e Vangjush Dakon.
‘Kush është opozita e re. Ka vetëm një opozitë, s’ka opozitë të re apo vjetër. Ka një opozitë dhe një parlament monist. Partia Demokratike ka përgjegjësinë të tregojë hapat për daljen nga kriza. Rama kandidoi në votimet e fundit kandidatë si Mark Babani, Valdrin Pjetri, Jorgo Kajmaku. Se është pazgjidhshmërisht i lidhur me Tom Doshin, Vangjush Dakon. Plani është mbi tavolinë dhe ta zbatojë, për hir të qytetarëve shqiptarë ose të hapë krahun. Kjo është një betejë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Rama nuk e bën dot reformën zgjedhore pa opozitën. Me kë do e bëjë reformën. Me Tom Doshin, Jyrgis Çyrbjan, Vangjush Dakon, Ymer Lalën? Plani është mbi tavolinë. Ta hapë ta zbatojë ose të hapë krahun se kush ta zbatojë.’ – tha Basha.