Vendosni fjalën kyçe....

Si ndryshoi brenda natës jeta e muzikantes së pastrehë: Ëndrra ime po realizohet (VIDEO)


E mbani mend Emily Zamourka? Ajo është gruaja e pastrehë e cila vetëm një javë më parë u filmua në një metro në Los Angelos duke kënduar.

Epo gjithçka mund të ndryshojë tashmë për rusen 52-vjeçare. Siç shkruan “Fox News” Zamourka ka qenë e pastrehë për tre vjet, por pas videos së bërë virale javën e kaluar, ajo ka marrë një super ofertë.

Postimi në “Twitter” i 26 Shtatorit, nga një oficer policie që e filmoi gruan duke kënduar si një soprano e vërtetë, bëri që mijëra njerëz të interesohen për jetën e Emily Zamourka, mes tyre edhe këshilltari i Los Angelos, Joe Buscaino.

 Ai e ftoi Zamourkan të këndonte në hapjen madhështore të “Little Italy” në San Pedro më 5 tetor. Përveç kësaj një person shumë i rëndësishëm në industrinë e muzikës është interesuar për të.

Sipas TMZ, prodhuesi i muzikës i nominuar për çmimet “Grammy”, Joel Diamond, ka hartuar një ofertë për Zamourkan me shpresën për të krijuar një rekord të ri sëbashku.

Shansi i madh për Zamourkan vjen pas shumë dekadash që jeta e ka shtyrë atë gjithnjë e më shumë larg muzikës.

“Mendova se kjo është, erdhi dita dhe ëndrra ime po përmbushet.“, shprehet Emily Zamourka.

E trajnuar për violinë në Rusi, vendin ku ka lindur, Zamourka u transferua në Shtetet e Bashkuara rreth 30 vjet më parë, por kurrë nuk e ndoqi muzikën si karrierë.

“Ishte shumë e vështirë dhe unë nuk mund të flisja asnjë fjalë në anglisht, kështu që muzika nuk do të ishte diçka me të cilën do kisha sukses… Unë punoja në dy punë të ndryshme që ishin e kundërta e muzikës”, kujton ajo.

Zamourka thotë se u sëmur rëndë tre vjet më parë dhe se për shkak të sëmundjes kishte falimentuar, duke u detyruar të dilte në rrugë.

Përveç sëmundjes, Zamourka kujton se i vodhën dhe violinën. Ti binte violinës ka qenë një mënyrë për të siguruar të ardhurat gjatë kohës që ajo jetonte në rrugë. Kështu situata e saj u rëndua edhe më shumë.

“Vjedhja e violinës ishte një tragjedi për mua … sepse ishte pikërisht ajo tek e cila unë isha varur, ishte e vetmja zgjidhje për mua që të ecja përpara”, tha ajo.

Zamourka tregoi se jetesa në rrugë ka qenë e vështirë, pasi në çdo moment të ditës apo të natës rrezikonte të sulmohej pa asnjë arsye.

Sipas saj qeveria mund të bënte më shumë për të ndihmuar të pastrehët.

 “Unë do të doja të vazhdoja dhe t’u tregoja të gjithëve, që të pastrehët kanë nevojë për një shans për t’u ndihmuar, dhe gjithashtu dua t’u tregoj njerëzve të pastrehë se të qenit i pastrehë nuk është fundi.”, tha e prekur 52-vjeçarja e cila shtoi se dëshironte të punonte si artiste.

Zamourka tha për “Fox News” se mezi pret performancën e së shtunës dhe shpresojmë se ditë më të mira do të vijnë për të.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *