Gazeta holandeze, De Telegraaf, ka publikuar qëndrimin zyrtar të qeverisë për sa i përket vendimit për mosçleljen e negociatave me Shqipërinë.
Ministri i Jashtëm, Blok, ka deklaruar se Shqipëria duhet të marrë hapa të mëtejshëm për sa i përket korrupsionit dhe përmirësimit të sundimit të ligjit.
Ndërkohë Blok ka shtuar më tej, se Maqedonia e Veriut ka bërë hapa përpara dhe pritet t’i çelen negociatat.
“Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit,” tha Blok pas mbledhjes së qeverisë.
Për Maqedoninë Veriore, rruga duket e qartë për të filluar bisedimet me BE për anëtarësimin.
“Maqedonia Veriore ka ndërmarrë hapa të mëdhenj përpara. Përparimi në sundimin e ligjit duhet të vazhdohet, kështu që ne shohim hapësirë atje.”, shtoi Blok.
Gazeta holandeze shkruan më tej, në artikullin e publikuar prej saj se vendi ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe trafikun e drogës.
Duke iu referuar mediave të tjera evropiane, ‘De Telegraaf’ shkruan se një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit përshkroi “korrupsionin e madh, institucionet e dobëta qeveritare” dhe foli për kontrabandën njerëzore, rrjetet e drogës dhe evazionin e taksave në shkallë të gjerë.
Mediat britanike si ‘The Guardian’ dhe ‘The Independent’ paralajmëruan për “Kolumbinë e Evropës”, duke iu refereruar Shqipërisë.