Në Kosovë sot po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin. Votimet kanë nisur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00.
Sipas Valmir Elezit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendvotimet janë hapur me rregull dhe në kohën e duhur, përveç disa qendrave të votimit ku janë shënuar parregullsi. Më tej ai ka thënë që KQZ-ja i fton të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
“KQZ njofton që në orët e para të mëngjesit janë hapur të gjitha vendvotimet në kohën e paraparë, përveç në disa vendvotime. Nga informacionet e para që i kemi marrë nga terreni procesi zgjedhor ka filluar pa problem. Sot nga 1.937.868 qytetar të Republikës së Kosovës kanë të drejtë vote. Të gjithë votuesit janë të shpërndarë në 895 qendra të votimet. KQZ fton të gjithë votuesit ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votuesve”, ka thënë Elezi, citon gazeta “Zëri“.
Lidhur me parregullsitë në votime, kanë dhënë detaje zyrtarë të Demokracisë në Veprim pak pas nisjes së procesit të zgjedhjeve. Parregullsi janë ndeshur afër disa qendrave të votimit në Prishtinë, Gjilan e Prizren.
Sipas DnV’së, vonesa ka pasur në 2.6 për qind të vendvotimeve. Kjo për shkak të vonesave të komisionarëve.
“Votimi ka filluar në gjithë territorin. Ka pasur vonesa në 2.6% të vendvotimeve. Vonesat kanë qenë për shkak te vonesave të komisionarëve, shpërndarjen e materialit.
Në Shterpcë e Gracanicë mungesë të vulave. Qytetarët s’mund të votojnë momentalisht në qendrën Ukshin Hoti për shkak të mungesës së komisionerit. Materiali propagandues, në 7% të qendrave ka material të tillë nuk i kanë larguar nga qendrat e votimeve. Komunat ku më së shumti ka pasur këso materiale: Gjilan, Prizren, Prishtinë”, ka deklaruar DnV.
Ndërkohë në disa qendra votimi në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç, thuhet se procesi i votimit ka filluar me vonesë, pasi disa komisionerë serbë janë përplasur mes tyre për mënyrën e votimit.
Disa prej tyre kanë kërkuar që votimi të bëhet me letërnjoftim serb, ndërsa disa të tjerë kanë insistuar të respektohet vendimi i KQZ-së, që në veri të Mitrovicës të votohet me letërnjoftim të Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç ka folur në një prononcim për “T7” live nga Mitrovica e Veriut për incidentin për të cilin u raportua në këtë pjesë të Kosovës.
“Secili duhet me kuptu që emri i secilit që është në lsitë duhet me votu, nuk e kuptoj pse nuk guxojë me votu me letërnjoftimin serb, kur emri i atij personi figuron në listë”, ka thënë Rakiç.
Këtë proces zgjedhor do ta vëzhgojnë rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.
KQZ ka zbuluar dhe se kur do të prezantohen rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
KQZ-ja do të mbajë edhe katër konferenca për medie gjatë ditës. Në orën 11:30 ku do të njoftojë për pjesëmarrjen në votime deri në orën 11:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor.
Në orën 15:30 lidhur me pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor. Në orën 19:30 KQZ-ja mban konferencën e katërt të ditës për medie, ku do të njoftojë për mbylljen e vendvotimeve dhe pjesëmarrjen në votime.
Në zgjedhje marrin pjesë 25 subjekte politike, mes tyre katër koalicione, 20 parti politike dhe një kandidat i pavarur.
Kandidatët për kryeministër janë:
Ramush Haradinaj: AAK-PSD
Vjosa Osmani: LDK
Kadri Veseli: PDK
Fatmir Limaj: Nisma AKR
Albin Kurti: Vetëvendosje
Nenad Rashiç -Koalicioni Sloboda