Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti: Prej mbrëmë ka shpresë, tani të punojmë


Pas mbylljes së numërimit të votave, Albin Kurti ka reaguar sërish për fitoren në zgjedhjet që u zhvilluan ditën e djeshme në Kosovë.

Kreu i Vetëvendosjes, thotë se qytetarët e Kosovës kanë folur me votën e tyre dhe tani duhet të nisë puna.

“Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë.

Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.

Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua.

Sepse: Erdhi dita!

Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit.”, shprehet Kurti.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *