Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar për “ABC News” se presidenti Meta ka zgjidhur gjithnjë kriza në të gjitha rolet që ka pasur, si kryeministër, kryetar apartie, kryetar kuvendi apo president.
“Meta gjithmonë ka zgjidhur kriza shumë të vështira si President, si deputet i thjeshtë edhe si Kryetar partie.” – tha ajo.
Ajo shtoi më tej se kreu i shtetit nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës ndërsa tha se Komisioni i Venecias duhet të tregojë nenin që pretendohet se ka shkelur Meta si president për sa i përket zgjedhjeve.
“Nuk jam këtu për të komentuar Komisionin e Venecias, as për të komentuar Presidentin e Republikës, unë do të dëshiroja që Komisioni i Venecias të më tregonte nenin që ka tejkaluar kompetencën Presidenti i Republikës dhe të më tregonte dhe nenin, qoftë në Kushtetutë, ose në Kod Zgjedhor, se kush është institucioni që vendos datën e zgjedhjeve. Me kaq do të isha më se e kënaqur, mjaftojnë këto dy pika.” – shtoi ajo.
Kryemadhi theksoi gjithashtu se nëse i hyhet investigimit të çështjes në fjalë mund të dalin të dhëna të pakëndshme ndërsa shtoi se vendi nuk ka nevojë për balancë por për qëndrime të drejta.
“Unë do të dëshiroja që të mos merreshim fare me këtë gjë, sepse po të hyjmë dhe të diskutojmë në të gjithë investigimin të gjithë kësaj situate, do të na dalë që lobime të ndryshme, apo edhe fluturime të ndryshme nga Tirana drejt Strasburgut kanë qenë të individëve të caktuar, apo edhe të grupeve të caktuara të interesit. Mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ata që e kanë bërë një iniciativë të tillë, sepse duke krijuar një raport as mish as peshk mund të mendojnë që mund të mbajnë një lloj balance. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për balancë dhe të jeni të bindur që pozicionimet e Presidentit të Republikës, kanë qenë një shans për zotin Rama, pavarësisht se zoti Rama e sheh në favor të opozitës.” – shtoi Kryemadhi.