Nesër fillon viti i ri Akademik dhe Tirana që një javë para ka nisur të gumëzhojë nga studentë të rinj që kanë ardhur nga rrethet për të nisur një cikël të ri në jetën e tyre.
Por për studentët e drejtësisë në veçanti, ky vit po nis i pakëndshëm. Kjo sepse vetëm dy ditë përpara nisjes së mësimit në universitet, në faqen zyrtare Fakulteti i Drejtësisë ka lajmëruar se mësimi do të zhvendoset te Liceu Artistik dhe te shkolla Kosova (kliko këtu për të parë orarin).
Pa dhënë asnjë sqarim për studentet, në grupet dhe faqet e ndryshme në rrjetet sociale ka nisur paniku.
Shumë studentë kanë ngritur shqetësime se pse ky ndryshim u lajmërua vetëm dy ditë para fillimit të shkollës, ndërsa janë ngritur shqetësime për sigurinë e godinës.
Kujtojmë se pas tërmeteve që dëmtuan fakultetin e Gjeologji Minierave, mësimi për këta studentë u tha se do të zhvendosej pikërisht në Fakultetin e Drejtësisë, që siç duket paska patur problemet e tij.
Në një postim të faqes në Instagram “Studentë e Drejtësisë”, aludohet se mbase shkak për dëmtimin e sigurisë së godinës janë bërë ndërtimet në krahun e majtë të fakultetit.
Megjithatë ende nuk ka një reagim zyrtar lidhur me situatën e një sërë informacionesh të sakta apo të rreme që po qarkullojnë në rrjet, i kanë konfuzuar studentët.
Fakulteti i Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit duhet të japin shpjegime dhe të sqarojnë studentët e alarmuar lidhur me situatën në fakultetin e tyre./Hashtag.al